culture_fest2014Institucioni Arsimor Gulistan me këngë e valle, poezi dhe muzikë në shqip, turqisht e boshnjakisht e hapi edicionin e parë të Festivalit Kuturor me moton “Zemrat rrahin së bashku”.
Melodia e ”Bareshës“ interpretuar nga “Etno Klasik” ka hapur festivalin. Korridori i Teatrit Kombëtar ka ngjasuar me një muze etnologjike ku janë ekspozuar veshje e sofra të këtyre tri etnive. Për veshjen dhe sofren tradicionale shqiptare ishte kujdesur shoqata e grave “Dera e hapur”. Ndërsa për sofren turke stafi turk i Kolegjeve “Mehmet Akif”.

more photos


Në Festivalin tonë kanë marrë pjesë nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” në Lipjan, Prizren dhe Gjakovë, nxënësit e Shkollës Internacionale të Prishtinës si dhe fëmijët e institucionit parashkollor “Yllka” të cilët kanë kënduar në tri gjuhë. Nuk mbeti pa u prezantuar as kultura boshnjake kur me këngë e valle të rinjët nga Prizreni luajtën vallen tradicionale.
Kori i ISP-së me këmisha të bardha e ka mbushur dy here skenën derisa kënduan këngë në gjuhën shqipe dhe turke. Nxënësja e ISP-së Anita Syla mori pjesë me këngën e saj e cila do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën e 12-të të Festivalit Kulturor dhe Gjuhësor që do të mbahet këtë vit në Turqi. Asambli folklorik “Bajram Curri” i formuar nga nxënësit e shkollave publike prezantoi vallet tradicionale shiptare. Nxënëset nga Gjakova nën ritmin e muzikës folklorike turke vallëzuan vallen tradicionale turke.
Ky festival nuk e la pa nderuar edhe figura të shquara që kanë kontribuar në zhvillimin e kultures në vend.Nexhmije Pagarusha, Melihate Qena, Shkurte Fejza, Rona Nishliu e Blerta Zeqiri u nderuan me nga një pllakat nderi. “Jetoj me dashurinë e juaj” ka thënë Nexhmije Pagarusha para publikut në mesin e të cilëve ka qenë edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.
Institucioni Arsimor Gulistan synon që ky Festival të jetë një urë lidhëse e faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore mes popujve përmes njohjes dhe shkëmbimit të vlerave kulturore.